Translate

Monday, November 15, 2010

Reflektime te ketyre diteve


Te nderuar anetare te Redaksise se Gazetes Shqiptare, te nderuar lexues. Duke qene nje njeri qe nuk i ka fort qejt mediat dhe shtypin, habitem se si fotografia ime qendroi per 3 dite rrjesht ne faqen e pare te gazetes suaj. E pranoj se me behet qejfi sepse edhe Kryeministri apo Presidenti nuk kane qene tre dite rresht ne faqen e pare.

Arsyeja per kete “popullaritet” ishte per te kritikuar mua personalisht ose per te me akuazuar se paskam perfituar disi pa te drejte. E keqja eshte se autoret e ketyre artikujve ishin disi konfuze dhe nga leximi i tyre une ende nuk kam kuptuar se perse me akuzojne.

Eshte shkruar nje liber matematike me dy autore, nje nga te cilet jam edhe une. Ky liber perdoret nga nje pjese e mire e studenteve te vitit te pare ne Universitetin e Vlores. Cili eshte problemi? Me lejoni ti ndihmoj ca keta inkuizitore. Ceshtja mund dhe duhet pare ne aspektin moral, shkencor, apo edhe ligjor. Keto tre aspekte te cilet ata qe kritikojne i bejne ca lemsh me njera tjetren.

Ne planin ligjor une them se kam cdo te drejte te shkruaj libra. Ne se ka dikush qe ka shkelur ligjin ketu jane ato kioskat rreth universitetit te cilat e shesin kete liber te fotokopjuar me 500 Leke dhe shkelin te drejtat e autorit. Kush ka fuqi le te shkruaje libra!

A kam perdorur une autoritetin tim te Rektorit per te ndikuar ne departament qe te perdoret ky liber dhe jo ndonje liber tjeter? Me sa di une Departamenti i Matematikes, si cdo departament tjeter ka nje komision ku aprovohen tekstet qe perdoren ne lendet baze. Une nuk jam pjese e ketij komisioni. Por ky problem nuk ngrihet fare sepse nuk ka ende ne Shqiperi nje liber te tille. Jo se nuk ka njerez qe s’mund ta shkruajne, por sepse nuk e kane shkruar akoma. Une, por edhe Departamenti i Matematikes mirepresim cdo lloj konkurence ne kete fushe sepse i sherben cilesise dhe shkences. Derisa s’ka liber tjeter atehere ky problem nuk ekziston.

A kam perdorur une ndikimin tim si Rektor per te futur kete lende te matematikes ne vitet e para me qellim qe te shitej libri im? Kush ka qene prezent ne Universitet vjet e tutje e di mire se programet jane bere shume me perpara se libri. Madje ne dhame Kalkulus si lende dy vitet e para, pa pasur liber dhe ishte nje katastrofe e vertete. Nga kjo u detyruam qe vendosem te shkruajme nje liber. Dhe anetaret e departamentit e dine mire se nje version i pare qarkulloi dhe une nuk isha autor. Duke pare mangesite e ketij versioni te pare dhe nevojen e madhe per kete liber une vendosa te merresha vete me kete projekt. Libri ka dale vjet ne fund te muajit Mars apo fillim te muajit Prill dhe eshte pritur me shume zell nga shumica e studenteve. Ka nje ndryshim te dukshem ne kalushmerine e studenteve midis simestrave qe kane qene pa liber dhe simestrave kur ka ekzistuar libri. Libri i Kalkulusit perdoret per Fakultetet e Shkencave, Inxhinjerise, Ekonomikut dhe Shendetit Publik dhe jo per Shkencat Humane sic thuhet ne artikujt e ketyre diteve. Ne fakt studenteve te Shkencave Humane kete vit ne ju krijuam nje lende te quajtur “Matematika per Shkencat Shoqerore” ose MAT 134 sic njihet ne UV. Studentet
e ketyre diplomave ende nuk kane nje tekst dhe ne shpresojme qe ai tekst te dale perpara fillimit te vitit akademik 2011-2012.

Dhe aspekti i fundit i anes morale eshte problemi qe eshte ngritur per cmimin. Une nuk jam ekonomist por jam marre me botime keto 10 vjetet e fundit. Ne treg ekziston “retail price” dhe “selling price” (te me fale lexuesi per mungesen e njohjes se ketyra termave ne shqip). “Retail price” eshte cmimi qe vihet fillimisht nga kompania. Ky cmim synon te kape institucionet, akademite, biblotekat, shitesit e trete te cilet mund te blejne sasi te medha per biznes. “Selling price” eshte cmimi aktual i shitjes. U vendos qe “retail price” te ishte 110 dollare. Kjo sepse AulonaPress e dergon librin ne Amazon, bibloteka brenda dhe jashte vendit, etj. Asnje student i Universitetit te Vlores nuk e ka blere librin me kete cmim. A eshte shume 5 000 leke per kete liber? Absolutisht qe jo! Kush e njeh llogjiken e botimeve e di se autori nuk perfiton gjithshka nga cmimi. Aty ka kosto per printimin, per shtepine botuese, per transportin, per lidhjen, per shitjen, etj. Per me teper qe libri ka 600 faqe, perdoret per dy lende (pra dy simestra), ka shume figura me ngjyra brenda librit, dhe ka nje format teper te madh. Te gjitha keto ja rrisin koston. Nje pjese e mire e librave te vjetshem u shiten me 3 000 leke. Dua te theksoj se nje perqindeje shume e vogel e studenteve tane faktikisht e blejne librin e Kalkulusit dhe gjithsej jane shitur vetem disa qindra kopje. 

Moralisht jam shume i qete sepse kam bere nje pune dinjitoze, nuk kam mashtruar apo genjyer njeri. Asnjehere nuk kam bere presion tek asnje student, pedagog, apo kushdo qofte qe te blejne librin tim. Mendoj se libri eshte nje ndihmese e madhe per studentet. Dhe besoj se cdo pedagog qe punon dhe shkruan nje liber me vlera shkencore per studentet duhet te shperblehet. Esnafet e tenderave dhe pazareve nuk mund te akuzojne pedagoge universiteti perse shkruajne libra. Ky eshte zanati yne! Ne as pallate nuk bejme dot dhe as leje ndertimi, prona, e gjyqe nuk rregullojme dot. Ne shkruajme nje liber dhe ja veme cmimin qe ne fillim. Kjo me duket fare e moralshme dhe jam fare i qete.

Nga ana shkencore zoti Kryetar i Akademise se Shkencave si edhe zv.Ministrja aludonin se matematika nuk duhet ne disa diploma etj, etj. Se pari fakti qe keta njerez mbajne ndonje ofiq nuk i ben ata me te afte se ne per te vleresuar se cila diplome duhet dhe cila diplome s’duhet te kete matematike si lende baze. Eshte mire te kishin permendur se e detyruar eshte edhe Gjuha Shqipe ne Universitetin e Vlores. Ndoshta zoti Kryetar duhet te mesoje se une edhe pse ne degen e Matematikes kam marre si lende universitare:  Psikologji, Filozofi, Histori e Lashte, Histori e Mendimit Perendimor, Hyrje ne Arkitekture, Anglisht I, II, II, Gjermanisht I, II, Ekonomi Globale, Shkenca Politike I, II, etj pervec lendeve shkencore si Fizika, Matematika, Kimia, Informatika, Inxhinjeri, etj. E kam fjalen per diplomen Bachelor. Une jam krenar qe jam diplomuar ne nje nga universitetet me diplomat me te mira ne bote ne “Liberal Arts and Sciences” (Artet e Lira dhe Shkence) sic eshte Universiteti i Michiganit. Perse me duheshin mua gjithe lendet e mesiperme? Apo valle ata nuk dine se c’bejne atje ne Universitetin e Michiganit? Por ja qe u dashkan disa gjera sepse ekonomia sot eshte globale dhe ka nevoje per njerez te formuar sa me mire, te cilet dine te mendojne.


Eshte fare e qarte se as Kryetari i Akademise dhe as zv. Ministrja s’e paskan kuptuar gjithe thelbin e Bolonjes i cili konsiston qe ne 3-vjecar te merret nje kulture baze e pergjithshme dhe specialitetet e vecanta e te detajuara behen ne programe masterash.

Dhe se fundi dua te komentoj mbi nje koment te Alba Malltezit e cila pak a shume justifikonte disi arrogancen ne disa nga emailet e mia. Arroganca asnjehere s’me pelqen, por me dhimbje e them se ne Shqiperi funksionon. Sepse ne nivelin qe behen disa diskutime dhe ne keto gjyqet e inkuzicionit qe behen ne shtypin tone s’ka rruge tjeter vec arrogances. Kush me njeh nga afer kupton ne emailet e mia edhe humorin, edhe sarkazmen, edhe ironine. Ne se dikush habitet kur une them se “Ky eshte libri me i mire i shkruar keto 50 vitet e fundit” atehere kete duhet ta kuptoje ashtu sic eshte thene, per te rritur interesin mbi kete liber. Dhe e verteta eshte se ne saje te ketij debati shitjet e librit ne internet jane shumefishuar keto 2-3 dite.

Ne aspektin me serioz une do te thosha se libri ka disa gabime ortografike te cilat do te korrgjohen ne botimin e dyte qe do te dale ne Gusht 2011. E vecanta e ketij libri eshte se ka nje indeks te plote, ka nje sistem referencash te plote, eshte punuar ne Latex dhe eshte nje liber i arrire nga ana formale. E reja qe une shpresoj te sjelle eshte te hedhe themelet e matematikes universitare ne Shqiperi. Difekti me i madh i programeve tona universitare i cili s’eshte kuptuar kurre nga politikeberesit dhe nga vendim-marresit ne arsimin shqiptar, eshte se ato nuk jane te integruara me njera-tjetren. Ky eshte nje difekt teper i madh qe arsimi yne universitar po e paguan rende. Ky liber synon ta korrigjoje kete gabim per drejtimin e subjektit te matematikes.  Sygjeroj me mjaft sinqeritet se edhe MASH edhe universitetet e tjera duhet ti hedhin nje sy librit pasi mund te prekin nga afer eksperiencen perendimore qindra vjecare ne dhenien e matematikes ne nivelet universitare.