Translate

Friday, November 6, 2009

Ka ardhur koha per cilesine


Gjatë dekadës së fundit arsimi universitar në Shqipëri ka marrë një zhvillim të konsiderueshëm sasior. Rritja e ndjeshme e numrit të studenteve dhe rritja enumrit të universiteteve private tregon më së miri se interesi i të rinjve tanë për shkollën është rritur. Megjithatë ndryshime të tilla sasiore kanë gjithmonë efektet e tyre në cilësi. Pranohet pothuajse nga të gjithë se niveli i studentit mesatar ka rënë në krahasim më atë të studentit të para viteve 90. Probleme të tjera që kanë dalë në sipërfaqe janë mbyllja e degëve në disa universitete, meritë-preferenca dhe problemet që vijnë me të, amullia e madhe akademike që ka shkaktuar konventa e Bolonjës (jo vetëm në Shqipëri), etj. Këto janë probleme të cilave u ka ardhur radha të diskutohen në qarqet akademike dhe të gjendet për to një zgjidhje brenda një periudhe kohore të shkurtër.



Dicka sa interesante dhe për të ardhur keq këto kohët e fundit është fenomenii mbylljes së programeve akademike në disa prej universiteteve të Shqipërisë. Dikush mund të justikojë këtë fenomen më argumentin se këto degë nuk janë të kërkuara nga studentet apo nga tregu. E vërteta është se po mbyllen degë të cilat kanë ndoshta impaktin më të madh për të ardhmen e Shqipërise. Bazat e ekonomisësë një vendi nuk zhvillohen me albanologë, historianë, juristë, e shkrimtarë (të më falin kolegët e këtyre fushave), por me inxhinjerë, shkencëtarë, e informatikanë. Le t'a lemë mënjanë romantizmin, naivitetin, mendësinë e ngushtë dhe të mendojme për të ardhmen e vendit, për ato degë të cilat do të krijojnë vende pune, do të bjenë investime në Shqiperi, do t'u shërbejnë fëmijeve tanë dhe të ardhmes së tyre. Përse mbyllen deget e studimeve në Shqiperi?  Përse studentët tane nuk shkojnë në informatikë, inxhinjeri, etj, kur këto degë janë padyshim degët më te preferuara ne botë?    

Së pari, është mendësia e vjetër dhe shkëputja plotësisht nga realiteti e disa prej drejtuesve të arsimit në radhët e politikës dhe atyre universitare. Në Shqipëri ende nuk bëhet dot ndarja konceptuale midis degës së studimit dhe departamentit i cili ofron këtë degë. Shpesh në Universitetin e Vlores (UV) kemi diskutuar dhe kemi pasur debate mjaft të ashpra mbi këtë pikë. Të krijosh dhe të mbash nje departament ka nje kosto financiare, të mbash hapur nje degë studimi është dicka me kosto mjaft më minimale në se programet bëhen ashtu sic duhet (dhe ashtu sic i ka gjithe bota). Nje departament mund dhe duhet të ofroje disa profile studimesh dhe kostoja financiare për keto profile është pothuajse zero. Për shembull, gjithë studentët e rinj të Fakultetit të Shkencave Teknike në UV këtë vit po marrin lëndët e formimit bazë (matematikë, informatikë, gjuhë të huaj, gjuhe shqipe, fizikë, kimi, etj). Këto lëndë ata po i marrin sëbashku, në leksione të përbashkëta në të kundërt me sistemin e mëparshem ku për shembull studentët e matematikës duhet t'i merrnin leksionet e fizikës vec nga studentët e inxhinjerisë megjithëse bëhej fjalë për të njejtin program akademik. Shembuj të tillë ka plot në UV dhe jam i bindur se ka edhe në universitetet e tjera. Ne vitet e 3-ta dhe të 4-ta, që vazhdojnë ende me sistemin e vjetër, në Universitetin e Vlores në kemi lëndë të tilla që tingëllojnë qesharake si "Anglisht për gjuhe-letersine, viti IV", "Italisht për ciklin e ulet, viti III", etj. Natyrisht, më nje organizim të tillë programesh disa kurse leksionesh do të ngelen me 5-10 studentë dhe do të rrezikojnë të mbyllen. Debatet më të thella të cilat kanë lindur në Vlore janë pikërisht mbi mënyren e organizimit të kurseve të leksioneve. Ka rëndësi të them se shumica dërmuese e stat pedagogjik në Vlore janë të bindur se riorganizimi i programeve të reja mësimore dhe kombinimi i kurseve të përbashketa ka arritur që në Universitetin e Vlores të mos rrezikohet asnjë degë, por në të kundërt në kemi kerkesa për të vazhduar studimet në Vlorë më shumë nga c'mund të përballojmë. Duhet të pranojmë se ndryshime të tilla do të vijnë me vështiresi, pikërisht sepse është nje shtrese pedagogesh të cilët interesat e tyre i kanë të lidhura ngushtë me sistemin e vjetër, sepse janë të interesuar që niveli akademik, korrupsioni, mediokriteti të ngelen sic jane. Eshtë kjo mënyra e vetme e ekzistencës së tyre profesionale. Ndoshta duhet t'a dinë gjithe takspaguesit shqiptarë se në Universitetin e Vlorës kostoja e vitit të parë për student është rreth 25-30 % e kostos së një studenti të viteve të tjera.

Mbyllja e degëve lidhet edhe me dicka tjeter mjaft të rëndësishme: cilat janë degët që ne ofrojmë dhe a venë studentët tanë me dëshirë në këto degë? Eshtë dicka për të ardhur keq që universitetet tona nuk kanë lirinë e nevojshme akademike për të hapur ose mbyllur degë të caktuara sipas mundësive apo gjykimit të tyre.  Universitetet janë ato që mbajnë përgjegjësitë morale dhe financiare kur degë të vecanta ecin mirë ose mbyllen. Pikërisht universitetet dhe vetëm ato duhet tëmarrin vendime për hapjen ose mbylljen e këtyre degëve, sidomos kur vendime tëtilla nuk kanë ndonje kosto financiare. Ne në Vlore hapëm dege të inxhinjerise mekanike, shkenca kompjuterike, dhe matematikë këtë vit. Këto degë kanë plot studentë, por edhe po mos të kenë ato nuk do të mbyllen kurrë sepse kostoja e Universitetit për këto degë është minimale. Ne kërkuam të hapnim edhe inxhinjeri elektrike dhe unë jam i bindur se mund t'a bëjmë këtë pa asnjë qindarkë shtesë nga buxheti i shtetit dhe në të njëjtën kohë të realizojmë nje program dinjitoz. Për cudinë tonë kjo degë nuk u aprovua, megjithëse ne kishim ndërmend t'i jepnim kësajdiplome drejtimin e komunikacioneve dixhitale dhe t'a gërshetonim me katedrat e matematikës dhe informatikes së UV-së, të cilat janë më të fortat në Shqipërinë këto fusha. Larmia e programeve, risia e tyre është pikërisht ajo cka duhet në universitetet tona dhe jo ngurtësia dhe mendësia e vjetër. U fol shumë për autonominë e universiteteve, por kjo autonomi (sidomos për universitetet jashtë Tiranës) lë shumë për të dëshiruar.

Mbyllja e degeve ka lidhje direkte me atë c'ka në qarqet universitare quhet meritë-preferencë, pra me mënyrën e pranimit në universitete. Te them të drejten, ministria e arsimit na kursen shume kokëcarje ne drejtuesve të universiteteve kur merr përsipër pranimet në universitete. Duket gjithashtu se vitet e fundit nuk flitet më në media për korrupsionin e konkurseve të pranimeve. Pra meritë-preferenca i ka disa merita. Por është e papranueshme nga ana akademike dhe morale që sot në shekullin e 21 administrata të vendos mbi fatet e studentëve dhe degët të cilat ata zgjedhin. Studentët duhet të kenë të drejtë të ndjekin cdo degë që dëshirojnë dhe asnjë pengesë administrative nuk duhet të ekzistojë mbi këtë të drejtë. Një zgjidhje duhet gjetur sa më parë që kjo e drejte e secilit të bëhet realitet. Ai stdudent i cili shkon me dëshirë ne një degë është më i prirur të perfundojë provimet.

Megjithatë, problemi kryesor dhe jetik për arsimin tonë universitar është cilësia. Eshtë pikërisht cilësia ajo që duhet të dominojë cdo përpjekje të forcave tona politike, të qarqeve akademike, të forumeve studentore, dhe cdo diskutim mbi arsimine lartë në Shqipëri.  

A janë gati studentet tane për një cilesi bashkëkohore?  Dicka interesante po ndodh ne Vlorë këto ditët e fundit. Gjatë 8-9 muajve të fundit në Universitetin e Vlores janë ndërmarrë një sërë masash e përpjekjesh për të përmirësuar imazhin e UV-së, për të permiresuar cilësinë dhe për të bërë diplomat e studenteve të UV-sëtë vlefshme në botë. Gjatë kësaj kohe në kemi pasur disa arritje dhe synojmë më shumë.

Me e rëndesishmja që është arritur muajt e fundit është se programet e reja në Universitetin e Vlorës janë programe bashkëkohore, të cilat kërkojne një përkushtim nga pedagogët dhe studentët, programe të cilat e radhisin Universitetin e Vlorës  ndërmjet universiteteve moderne Europiane.

Ndoshta komponenti i dytë më i rëndesishem që ne po kërkojmë të implementojmë është pikerisht thelbi i Konventës së Bolonjës, që njohuritë e studentit të kontrollohen gjatë vitit akademik. Pikërisht për këtë ne kemi vendosur që studentët të kontrollohen gjate simestrit nëpërmjet disa kolekiumeve dhe një provimi mininal. Me këtë synojmë jo vetëm një kontroll të vazhdueshem të studenteve për një pervetesim më të mire të dijeve të tyre, por edhe eleminimin e korrupsionit i cilinë Universitetin e Vlorës ashtu si në gjithë universitetet e tjera shqiptare është një gangrenë e sistemit tone arsimor. Duke kontrolluar disa herë gjatë simestrit, duke mbajtur në Rektorat gjithë rekordet e këtyre provimeve, në shmangim mundësinë e pazareve të minutave të fundit, dokumentojmë procesin mësimor dhe vendosim seriozitetin në klasë. Ndoshta, në se cdo gjë shkon mire, ne do t'i shohim një ditë studentet tanë që të marrin ndonjë libër ose fletore më vete kur të vijnë në shkollë.

Këto masa kanë acaruar disa pedagogë e studentë në Vlorë. Ato konsiderohensi të padrejta nga disa pedagogë të cilët kanë blerë shtëpi, makina, dhe jetuar në një lluks personal pikërisht duke shfrytëzuar këtë korrupsion, duke marrë 1000 lekëshen e fundit të studentit për t'i dhënë një provim. Janë pikërisht disa nga këta pedagogë që kur ua do puna hiqen miq të mëdhenj të rektorit dhe përkrahes të idevetë reja, por që vazhdojnë të shesin libra fshehurazi tek studentet, që vazhdojnë të jene të korruptuar, që vazhdojnë më letra anonime, që nuk kanë asnje dëshirë që Universiteti i Vlorës të rregullohet sepse ateherë atyre u priten pikërisht ato rruge të paligjshme për të jetuar. Ata kanë si qëllim t'a mbajnë universitetin pikërisht ashtu sic ka qenë, një qendër korrupsioni dhe mediokriteti, ku jo vetëm provimet, por edhe vendet e punës bliheshin me para, ku ata që s'kishin diplomë te shkollës së mesme merrnin diplomë universiteti. Kush e ka pasur fajin për të gjitha këto? Kush është përgjegjës për gjendjen në të cilën ishte katandisur Universitetii Vlorës? Eshtë pikërisht ish-rektori Bilal Shkurtaj, kundërshtuesi më i madh i këtyre ndryshimeve, promovuesi më i zjarrtë i sistemit të vjetër. Eshtë pikërisht zoti Shkurtaj ai që mendon se studentët nuk duhet të shkojnë në mësim, se ata duhett'i kenë leksionet fakultative. Bilal Shkurtaj i cili erdhi nga puset e naftës dhe u bë Rektor i Universitetit pa asnjë përvojë akademike, mendon se është eksperti mëi madh akademik. Ekspertizën e tij Universiteti i Vlorës e pagoi për 10 vjet me rradhë dhe nuk ka dëshirë t'a provojë prapë.

Këto masa kanë acaruar edhe një pjesë studentësh të cilët asnjëherë nuk kanë ardhur në shkollë për të mësuar, por për të marrë një diplomë. Pikërisht ata studentë të cilët vijnë njëherë në 4-5 muaj për të paguar disa para dhe për të marrë disa provime. Eshtë për të ardhur keq pasi shumica e studentëve të Universitetittë Vlorës janë jo vetëm studentë të rregullt, por edhe të aftë e më një të ardhme të shkëlqyer. Unë jam habitur përpara disa javëve me cilësine e disa prej diplomave të matematikë-fizikes ose të informatikës. Ne Universitetin e Vlorës ka mjaft studentëtë cilët do të përtojnë shumë nga c'ka në po bëjmë, do të shkojnë në programe pas-universitare jashtë vendit, do të punësohen në Shqiperi e më gjerë. Në të njëjtën kohë në Universitetin e Vlorës ka edhe një pjesë të cilët janë bërë studente profesionistë. Eshte për të ardhur keq që studentë që pretendojnë se janë në krye të këshillit studentor janë disa persona që nuk përfaqësojnë denjësisht masën e studentëve të universitetit tonë. Unë thjesht dua t'ju kujtoj gjithë studentëve të Universitetit të Vlorës se ata nuk shkojnë në mësim për rektorin apo për ndonjë tjeter, por për veten e tyre, për të ardhmen e tyre, se koha kur diplomat janë marrë me para ka kaluar, se ata do të meritojnë cdo notë që do të marrin këtej e tutje. Unë i këshilloj si prind, si bashkëqytetar i tyre, të shkojnë në mësim, kjo është ajo cfarë studentët bëjnë në gjithë botën. 

Gjithashtu, unë dua t'ju kujtoj atyre pedagogëve të cilët po mundohen të manipulojnë studentët në këtë cështje se më vjen turp që jam koleg në të njejtin institucionmë ta. Cilido që inkurajon studentët të mos shkojnë në mësim nuk meriton emrin e pedagogut. Fatkeqësisht, në universitetet tona ka mjaft të tillë që do të bëjnë cdo gjë për një copë karriere, për përtim personal, për interesa vetjake. Eshtë interesante po të vëresh se njerez të tillë janë ata mediokër që sistemi i ka nxitur më pa të drejtë. Ata që janë bërë akademikë, dekanë, rektorë pa diploma përkatëse, ata që janë bërë profesorë pa asnjë publikim, ata që për të marrë titujt akademikë kanë mobilizuar gjithë partitë politike dhe faresin, ata që punën akademike e ngatërrojnë më letrat anonime. Shoqeria jonë do të vuajë për nje kohë të gjatë nga nje klasëe tillë njerëzish, nga mediokrit të cilët janë shtuar së tepërmi. Eshtë preferenca ajo që ka prioritet në shoqerinë tonë dhe jo merita. Eshtë pikërisht kjo që bën pesimistedhe entuziastin më të madh, që i mban ata shqiptarë që merren më shkencë sa më larg Shqipërisë. Eshtë pikërisht promovimi i amatorit, mediokrit, dhe injorimi total i specialistit ajo cfarë shkatërroi shpirtin e arsimit universitar në Shqipëri.

Ka ardhur koha që ne si shoqëri të vendosim se sa seriozë jemi për arsimin universitar, a duam vërtet që studentët tanë të marrin nje diplome më vlerë, a ka ardhur koha që ne të mos vazhdojmë së pretenduari se kemi universitete dhe të fillojmë të punojmë për të pasur vërtet universitete të denja? Në qoftë se pergjigja është "Po" atëherë puna jonë dhe e të gjithëve fillon në shtëpitë tona, tek fëmija ynë student, tek nxënësit e shkollave të mesme, tek fqinjët, tek vetja. Ka ardhur koha që ne të llojmë të punojmë për të ardhmen e këtij vendi. Ka ardhur koha që studentët tanë të vijnë në universitet më ndonjë bllok dhe lapës dhe jo më duar në xhepa. Ka ardhur koha që ata të ndjekin leksionet dhe jo kafenetë.

T. Shaska       
Rektor, Universiteti i Vlores
6 Nentor, 2009

No comments:

Post a Comment